Vendimmarrësit lokalë duhet t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve

Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është njëri nga parakushtet e rëndësishme për një qeverisje më efikase, sidomos në nivelin lokal pasi, pikërisht, kjo është shkalla e parë dhe më e afërta në plotësimin e nevojave dhe interesave të qytetarëve. Andaj, nga ky fakt rrjedh edhe domosdoshmëria e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje që, apriori, duhet trajtuar si mbështetje të pazëvendësueshme në angazhimet e pushtetit lokal, shërbimeve dhe organeve të tij

Kristjan Dukaj

Në tentativat e shumta për të definuar mënyrën më adekuate të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, ligjdhënësit kanë ofruar kornizën e përshtatshme ligjore duke u mundësuar qytetarëve mekanizmat e duhur për t’u dëgjuar zëri i tyre në organet e vendimmarrjes. Duke u nisur nga praktikat e deritashme në nivelin vendor, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje nuk mund të vlerësohet e kënaqshme, në veçanti në shfrytëzimin e mekanizmave ekzistues në këtë drejtim. Situatë e ngjashme është pothuajse në të gjitha komunat në Mal të Zi, por duke marrë parasysh rrethana të ndryshme e specifike, të shkaktuara mbase nga angazhimi i pamjaftueshëm i sektorit civil, si dhe nga mungesa e mbështetjes së duhur e institucioneve përkatëse, kjo çështje është më e theksuar në komunat më të reja e veçanërisht në Komunën e Tuzit.
Më së miri këtë situatë e ilustron edhe hulumtimi që në janar të këtij viti e ka realizuar agjencia “Damar” dhe Qendra për Zhvillimin e Organizatave Joqeveritare (CRNVO) mbi këtë temë. Kështu pyetjes “Sa shpesh merrni pjesë në konsultime apo diskutime publike të organizuara nga vetëqeverisja lokale?”, 86.4% e të anketuarve në Komunën e Tuzit janë përgjigjur që “asnjëherë” nuk marrin pjesë dhe vetëm 13.6% e tyre “rrallë” marrin pjesë në shqyrtimet publike që organizon Komuna.
Duke marrë parasysh mungesën e gjatë dhe të theksuar të infrastrukturës në Komunën e posaformuar të Tuzit por edhe në disa komuna të tjera, kandidatët në listat zgjedhore të subjekteve nacionale, në fushatat parazgjedhore, rëndom premtojnë gjithë atë që nuk është arritur dekada me radhë dhe se, pikërisht, ata do të jenë zëri i qytetarëve dhe kjo, domosdo, shkakton pakënaqësi në popullatën vendore e cila ka nevojë për informim të vazhdueshëm për të gjitha çështjet me interes publik. Mirëpo, vështirë se mund të ndodhë që, me qëllim të informimit sa më të mirë të publikut, politikëbërësit tanë, të ofrojnë njohuritë e duhura për opinionin lidhur me mekanizmat normativ në interesin më të gjerë për qytetarët.
Ligji për Vetëqeverisjen Lokale i Malit të Zi, në nenin 157, parasheh: “Komuna krijon kushtet, inkurajon dhe ndihmon pjesëmarrjen e popullatës lokale në arritjet e vetëqeverisjes lokale, përmes formave të ndryshme të pjesëmarrjes së banorëve në deklarimin dhe vendimmarrje për punët në interes të përgjithshëm”. Ligji po ashtu përcakton që “funksionarët lokal dhe drejtuesit e organeve të administratës lokale janë të obliguar të caktojnë kohën për pranimin e qytetarëve”, ndërsa “organet e qeverisjes lokale dhe shërbimet përkatëse janë të obliguar të sigurojnë librin e përshtypjeve dhe kutinë për vërejtjet, propozimet dhe ankesat e qytetarëve, por edhe të sigurojnë pranimin e tyre nga drejtuesit e këtyre organeve me qëllim të deklarimit të vërejtjeve ose ankesave për punën e administratës ose për sjelljen e padrejtë të zyrtarit publik”!
Sipas të njëjtit hulumtim, “komunikimin me ushtruesit e funksioneve në vetëqeverisjen lokale”, qytetarët e Tuzit e kanë vlerësuar me notën 2,79 ndërsa “kuptimin e nevojave për kërkesat dhe nevojat e komunitetit nga vendimmarrësit në nivelin lokal” të anketuarit në Tuz e vlerësuan me notën 2,89.
Këto rezultate më së miri tregojnë nevojën e menjëhershme për ndryshimin e koncepteve në qeverisjen vendore në komunikimin me qytetarët dhe për zbatimin e drejtë të mekanizmave që përcakton ligji dhe rregulloret lokale.
Për ilustrim të këtij shkrimi po sjellim një shembull konkret nga komuniteti. Mungesa e ndriçimit publik që çon në njërën nga lagjet e mëdha në Komunën e Tuzit, Dushiq, është problem në vazhdimësi për banorët në këtë territor. Nuk është fjala për një, dy ose ndonjë numër modest të dritave që nuk funksionojnë tash sa kohë, por për ndriçim publik me gjatësi kilometri. Pasi ata që do të duhej të përkujdesen për zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës komunale vazhdojnë të jenë indiferent për nevoja të ngjashme të qytetarëve, është i domosdoshëm reagimi adekuat për t’i përkujtuar pushtetarët lokal në obligimin parësor – që të përkujdesen për interesin publik, sepse paguhen nga paratë e taksapaguesve. Është e pashpjegueshme se si mund të lejohet mosinteresimi i tillë i vendimmarrësve lokal ndaj mirëmbajtjes së kësaj infrastrukture në Komunën e Tuzit apo kudo tjetër, sidomos kur bëhet fjalë për një territor të gjerë. Kjo vlen edhe për çështjet e tjera siç është infrastruktura rrugore, ruajtja e ambientit, paralajmërimet për pyllëzimin e maleve përreth e kështu me radhë.
Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është edhe më e nevojshme në kushtet e mungesës së mediave lokale të cilat do të përcillnin zërin e qytetarëve në hartimin e politikave publike. Vetëm fjalët e mirënjohjes e të falënderimit nuk mund të reflektojnë një qeverisje lokale efikase dhe llogaridhënëse, kudo qoftë.
Me qëllim të avancimit të pjesëmarrjes më aktive të qytetarëve në vendimmarrje, janë hartuar dokumente të rëndësishme në nivelin ndërkombëtar. Kështu, Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, të cilën e kanë miratuar Kombet e Bashkuara më 1948, identifikon dhe pranon : “Secili ka të drejtë të marrë pjesë në punët publike të vendit të vet, drejtpërdrejtë ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur në mënyrë të lirë”. Ndërkaq, me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, të miratuar në Këshillin e Evropës në vitin 1985, parashihet që : “Vetëqeverisja lokale nënkupton të drejtën dhe aftësinë e pushtetit vendor që, brenda kornizës ligjore, të rregullojë dhe udhëheqë një pjesë të konsiderueshme të punëve publike, në bazë të përgjegjësisë së vet dhe në interes të popullatës lokale”.
Më vonë, respektivisht në vitin 2001, janë miratuar një sërë rekomandimesh të detajuara, ashtu që nga fusha e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve, më i rëndësishmi është rekomandimi 19, i cili fton të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës që të marrin pjesë në mënyrë aktive në promovimin e parimeve dhe zbatimin e praktikës së pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke dhënë udhëzime konkrete dhe shembuj për mënyrat se si mund të arrihet kjo.
Një qasje e këtillë në politikëbërje në nivelin lokal, padyshim që rezulton me një qeverisje më pak efikase, pa llogaridhënie dhe moszgjidhjen e çështjeve me interes publik në komunitet. Ligjdhënësit kanë paraparë mekanizmat e nevojshëm ligjor në jetësimin e interesave më të gjera për qytetarët, prandaj pushteti vendor duhet vetëm t’i zbatojë ato.

Ky shkrim publikohet në kuadër te projektit “Parandalimi i Korrupsionit dhe Promovimi i Pjesëmarrjes Qytetare” i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL). Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e donatorit.

Të fundit

më të lexuarat