Mediat dhe shoqëria civile në luftën kundër korrupsionit

Që prej daljes në publik të gazetave të para të shkruara, diku në fillim të shekullit të 17-të në Gjermani, roli i mediave gjithmonë është konsideruar si esencial, jo vetëm në njohjen e publikut me informacionet më të reja, por edhe si kontribuues në zhvillimet më të rëndësishme shoqërore. Pa dyshim që me kalimin e kohës, roli i mediave u bë gjithnjë e më i rëndësishëm, sidomos kur skenës mediatike iu shtuan radioja dhe televizioni, duke bërë që shpejtësia e përçimit të informacioneve të marrë një dimension tjetër

Bekim Çoba

Megjithatë, ndikimi i tyre i padiskutueshëm jo vetëm në informimin, por edhe në edukimin e brezave të tërë, do të merrte një shtysë edhe më të madhe me daljen në skenë të internetit.
Gazetaria dhe mediat edhe më herët ishin aleatë të fuqishëm në luftën kundër fenomeneve negative shoqërore, por me daljen në skenë të internetit, kjo u bë e mundur edhe në vendet ku mediat tradicionale shpeshherë janë të kontrolluara nga pushteti, ose nuk kanë resurset e duhura për hetime të llojit të vjetër. Fatkeqësisht, kjo “liri” e qasjes për të arritur tek publiku ka sjellë edhe efekte negative: portale joprofesionale, gazetarë të papërgjegjshëm, shpërthim të lajmeve të rreme etj, e që sollën edhe uljen e besimit të qytetarëve në media dhe në gazetarinë e lirë. Në pozitë të tillë ndodhet edhe Mali i Zi, ku Ligji për Qasje të Lirë në Informata, i miratuar jo nga dëshira e pushtetit për transparencë, por si rezultat i proceseve të integrimit në BE, do të duhej të sillte transparencë më të madhe në punën e administratës publike. Megjithatë, ky ligj në vendin tonë duket se nuk është shfrytëzuar si duhet nga mediat, sidomos ato lokale e aq më pak nga mediat në gjuhën shqipe. Për dalim nga mediat, organizatat e shoqërisë civile janë treguar dukshëm më të shkathëta në përdorimin e tij, për të zbuluar raste të ndryshme të korrupsionit në të cilët ishin të përfshirë zyrtarë shtetëror. Kështu, organizata MANS dhe Qendra për Gazetari Investigative në periudhën e kaluar kanë qenë më aktivet në këtë drejtim, por nuk ka munguar as kontributi i shoqatave të tjera joqeveritare, qoftë në zbulimin e rasteve të korrupsionit apo abuzimeve me fondet publike, qoftë në ushtrimin e presionit ndaj institucioneve për të rritur nivelin e transparencës. Në Ulqin, në këtë të fushë janë shquar organizatat Horizonti i Ri dhe MogUl, të cilat me anë të projekteve të ndryshme kanë arritur të sjellin te publiku informacione mbi punën dhe rezultatet e administratës lokale, që përndryshe nuk do të ishin bërë publike. Megjithatë, rëndësia angazhimit të sektorit civil në Ulqin, më së miri vihet re në rastin e mbrojtjes së Ullishtës së Valdanosit nga dhënia me qira kompanisë Cubux Lux në vitin 2008. Edhe pse elementet e korrupsionit në këtë rast nuk u verifikuan asnjëherë, fakti se si rrodhi i gjithë procesi dhe se kompania në fjalë kishte vite që nuk ekzistonte, hodhi dyshime serioze se këto elemente kanë ekzistuar. Ishte pikërisht angazhimi i sektorit civil që nxiti më së shumti qytetarët për të dalë në mbrojtje të pronave tashmë të tyre (me votimin e ligjit në Kuvendin e Malit të Zi më 11 qershor 2021), ndihmuar edhe nga subjektet caktuara politike dhe mediat. Ky rast nuk është i vetmi, por është më tipiku i një bashkëpunimi të gjerë dhe të suksesshëm të sektorit civil dhe mediave në dobi të komunitetit.
Rast tjetër që vlen të përmendet është ai i Kripores së Ulqinit, edhe pse këtu akoma nuk dihet se si do të përfundojë i gjithë procesi. Interesat janë të shumta, presionet dhe ndikimet edhe më të ashpra, kurse institucionet (të paktën deri tani) tepër të dobëta që ta zgjidhin këtë problem në formën e duhur. Është meritë pikërisht e sektorit civil që ende e diskutohet çështja e Kripores. Sikur të mungonte angazhimi i OJQ-ve, të cilat në këtë proces ngjallën edhe interesimin e institucioneve evropiane, Kriporja do të ishte shndërruar në tokë ndërtimi qysh para një dekade. Kontributin e vet në këtë drejtim e kanë dhënë edhe mediat. Vetëm TV Teuta, pa llogaritur mediat e tjera, ka mbi 10 materiale të realizuara për Kriporen në këto 4-5 vitet e fundit. Nga ana tjetër, Komuna e Ulqinit jo vetëm që nuk ka ndihmuar në këtë drejtim, por për një kohë të caktuar mbështeti ata që tentonin shkatërrimin e saj. Vetëm atëherë kur çështja e Kripores mori dimension ndërkombëtar, strukturat udhëheqëse të pushtetit lokal u detyruan të rishikojnë pozicionin e tyre. Edhe pas këtij ripozicionimi, Komuna nuk bëri ndonjë gjë konkrete që të ndikojë në zgjidhjen e problemit, përveç shprehjes së gatishmërisë për menaxhimin e saj. Pronësia e tokës së Kripores vazhdon të jetë temë e debateve ligjore, që vështirëson marrjen në menaxhim nga ana e Komunës së Ulqinit, sepse pushteti lokal frikësohet nga një “K1” i dytë.
Këtyre rasteve mund t’u shtohet edhe angazhimi për ndalimin e ndërtimeve në Pyllin e Pishave, ku janë vënë re elemente të qarta të korrupsionit, por reagimi i organeve kompetente ka qenë i zbehtë, e jo rrallë edhe i sforcuar për të “qetësuar” opinionin publik. Fatkeqësisht, krijohet përshtypja se mediat nuk kanë arritur të kontribuojnë në mënyrë të njëjtë sikur sektori civil në luftimin e fenomeneve negative shoqërore. Kjo nuk do të thotë se nuk kanë luajtur rol fare, pasi disa nga aferat më të njohura në skenën politike (“Inçizimi”, “Zarfi”) fillimisht u shfaqën në media, por mungesa e vazhdueshme e resurseve, shpeshherë edhe ndikimi politik, kanë bërë që mediat të jenë më shumë përçuese të informacioneve, se sa burim i tyre. Ky fenomen është edhe më i dukshëm tek mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi, të cilat nuk kanë as mundësitë, e në raste të caktuara as vullnetin e duhur, për tu përballen me burokracinë e administratës publike. Përkundër kësaj, ka edhe media që objektivitetin dhe punën e tyre e përshtatin sipas politikave ditore, duke u shndërruar në “mercenarë mediatik” apo tellallë të strukturave të caktuara politike apo të biznesit.
Në Komunën e Ulqinit këto 15 vitet e fundit ka pasur me dhjetëra afera të keqpërdorimit të parasë publike dhe vetëm disa prej tyre janë trajtuar siç duhet nga mediat. Kjo tregon haptas se ka pasur seleksionim të trajtimit të aferave, në varësi të personazheve apo strukturave pjesëmarrëse. Do të ishte më e pranueshme sikur ky lloj vetëcensurimi të ishte pasojë e presioneve që iu vijnë mediave nga faktorë të ndryshëm, megjithatë njohja e skenës mediatike na bën të mendojmë se interesi personal dominon në shumicën e këtyre rasteve. Mungon këmbëngulja e mediave në gjuhën shqipe për të kërkuar llogaridhënie nga politikbërësit shqiptarë. Veçanërisht mungon kërkimi i informacionit nga organet gjyqësore për procedimin e rasteve të korrupsionit. Ka lëndë që me vite flenë në sirtarët e prokurorëve për çështje që lidhen me politikanët tanë dhe mediat nuk angazhohen për të kërkuar të paktën ndonjë sqarim lidhur me këto raste. Si politikanët, ashtu edhe prokurorët dhe gjykatësit, paguhen nga paratë e taksapaguesve, prandaj nuk ka asnjë arsye që të kursehen as nga mediat as nga qytetarët. Nuk është mirë për një shoqëri që mediat të jenë kaq prapa krahasuar me shoqërinë civile kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit. Në rastin e Malit të Zi, këtë më së miri e sqaron raporti i fundit i Komisionit të BE-së, në të cilin liria e medias vlerësohet si një nga sfidat kryesore, kurse renditja e shtetit në shkallën e demokracisë u zhvendos në atë të regjimeve hibride.
Para disa viteve, në cilësinë e gazetarit, kam dorëzuar dy kërkesa për qasje në informacion në administratën e Komunës së Ulqinit. Asnjëra nuk mori përgjigje. Kur për këtë u ankova tek sekretari përkatës, mora përgjigjen se “zyrtarët janë aq shumë të zënë me kërkesat e OJQ MANS, sa që nuk kanë burime të mjaftueshme njerëzore që të procedojnë edhe kërkesat që vinë nga organizata të tjera apo mediat. Ky lloj arsyetimi nuk është krejt i pabazë, pasi frika e zyrtarëve publik nga sulmet mediatike që mund t’u bëjnë organizatat e fuqishme të sektorit civil apo mediat në nivel shtetëror, nuk mund të krahasohet me ndikimin e mediave lokale apo OJQ-ve të vogla. Kjo qasje padyshim që ka ndikuar në efektet e angazhimit për promovimin e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, sidomos në niveli lokal, ku mediat vendore nuk trajtohen me seriozitetin e duhur.
Është e qartë se pa media që nuk kontrollohen nga struktura të caktuara interesi, nuk mund të ketë gazetari të mirëfilltë. Mjafton të theksohet se gazetarët në Mal të Zi paguhen më pak se mesatarja e pagës në nivel shteti, kurse ata që punojnë në mediat në gjuhën shqipe, shpesh përballen edhe me vonesa të pagave. Për ilustrim mund të shërbejë “RTV Ulqini”, ku të punësuarve u detyrohen gati dy vite paga, kurse kontributet nuk janë paguar me vite. Mediat në gjuhën shqipe kanë nevojë të rrisin angazhimin e tyre profesional e publik dhe të tentojnë të dalin nga ndikim i faktorit politik, nëse duan që të jenë faktor përbërës i ndryshimeve shoqërore. Gazetarët shqiptarë në Malin e Zi duhet të përpiqen të shkëputen nga varësia prej pushtetarëve vendorë apo administratës publike, të cilat përbëjnë burimet kryesore të informacionit në raportimet mbi korrupsionin.
Ky shkrim publikohet në kuadër te projektit “Parandalimi i Korrupsionit dhe Promovimi i Pjesëmarrjes Qytetare” i mbështetur nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL). Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e donatorit.

Të fundit

më të lexuarat