Femra shqiptare në jetën politike në Mal të Zi

Aktualisht, funksionojnë më tepër se dhjetë subjekte nacionale shqiptare të cilat në një apo në mënyrën tjetër participojnë në vendimmarrje, respektivisht në drejtimin e njësive qeverisëse vendore. Mirëpo, asnjëherë nga jetësimi i sistemit pluralist në Mal të Zi, nuk ka ndodhur që ndonjëra nga femrat funksionare të subjekteve përkatëse, të jetë në krye të ndonjë vetëqeverisjeje lokale. Së paku, për të ndjekur shembullin e ndonjë subjekti tjetër që praktikon një gjë të tillë

Kristina Margjonoviq

Ndërtimi i një shoqërie demokratike nuk është i mundur nëse një grup shoqëror mungon ose nuk përfaqësohet sistematikisht nga procesi i vendimmarrjes politike, duke përmbushur standardet dhe rekomandimet ndërkombëtare për arritjen e barazisë gjinore në hartimin dhe zbatimin e politikave, si kusht për demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë.
Sfera e politikës është një profesion kryesisht mashkullor dhe duke pasur parasysh rëndësinë dhe peshën e politikës në Malin e Zi, gratë janë në margjinat e jetës politike, megjithëse në vitet e fundit ka pasur një ndryshim në ngritjen e vetëdijes së grave për nevojën për t’u përfshirë më shumë në jetën politike, Mali i Zi, është ende larg përmbushjes së standardeve ndërkombëtare në lidhje me barazinë gjinore në politikë. Për gratë, më së shpeshti flitet politikisht në kontekstin e familjes, duke u kujdesur për fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa temat e pushtetit dhe politikës mbeten ekskluzivisht brenda kornizës së “profesioneve mashkullore”.
Përfaqësimi më i ulët i grave në jetën parlamentare ishte nga 1946 në 1947 (2.8%). Sot, ky numër është më i lartë se 30% por kjo nuk do të thotë që numri i grave në Parlament është rritur vazhdimisht.
Të dhënat gjithashtu tregojnë një nivel të ulët të përfaqësimit të grave në kuvendet komunale.
Partitë politike kanë përdorur një mënyrë për të anashkaluar këtë detyrim, në mënyrë që 30% e kandidateve femra t’i vënë në fund të listës, e cila në përzgjedhjen përfundimtare të mandateve të fituara të kandidatëve, redukton ndjeshëm numrin e deputeteve dhe këshilltareve. Prandaj, në vitin 2014 është miratuar rregull i ri: përveç 30% të kandidatëve, çdo i katërti kandidat, në renditjen e listës së partisë, duhet të jetë një person i gjinisë më pak të përfaqësuar.
Asnjë femër shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi
Është një hap i keq prapa se, në politikën shqiptare në periudhën e pluralizmit politik në Mal të Zi nga viti 1990- 2016, asnjë femër shqiptare nuk është ulur në ulëset e Kuvendit të Malit të Zi. Kjo tregon se barazia gjinore në vitet e pluralizmit tek shqiptarët nuk është barazi dhe se kundërshtar për femrat ka qenë dhe po vazhdon të jetë mentaliteti i meshkujve. Frymë më e mirë politike e përfaqësimit të grave shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi ka ekzistuar në kohën e regjimit komunist, në periudhën kohore 1946-1990, kur shqiptarët patën një deputete – znj. Dushë Dushaj. Një ndër arsyet kryesore që kontribuoi në margjinalizmin e femrave në politikën shqiptare është mungesa e vullnetit politik të lidershipit partiak që të avancojë pjesëmarrjen e plotë të grave në procesin politik dhe në vendimmarrje.
Asnjë femër kryetare Komune nga radhët e partive nacionale shqiptare
Aktualisht, funksionojnë më tepër se dhjetë subjekte nacionale shqiptare të cilat në njërën apo mënyrën tjetër participojnë në vendimmarrje, respektivisht në drejtimin e njësive vendore. Mirëpo, asnjëherë nga jetësimi i sistemit pluralist në Mal të Zi, nuk ka ndodhur që ndonjëra nga femrat funksionare të subjekteve përkatëse, të jetë në krye të ndonjë vetëqeverisjeje lokale. Së paku, për të ndjekur shembullin e ndonjë subjekti tjetër që praktikon një gjë të tillë.
Mjafton të përmendim këtu shembullin e vetëqeverisjes lokale të Gucisë, e cila edhe pse komunë e re, udhëhiqet nga kryetare femër. Vetëkënaqësia me punën dhe kontributin e vet, pa marrë para sysh rezultatet zgjedhore, kanë ndikuar që liderët partiakë të mos tërhiqen nga drejtimi i subjektit duke e arsyetuar rezultatin zgjedhor me shkaqe dhe rrethana të ndryshme.
Asnjë femër kryetare e ndonjë partie nacionale shqiptare
Formimi i subjekteve nacionale shqiptare është mirëpritur nga popullata shqiptare, sidomos pas shembjes së sistemit monist i cili mbijetoi deri në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar. Shpresat për një avancim më të fuqishëm të shoqërisë në përgjithësi, në sistemin pluralist ishin të mëdha. Edhe pse me një pluralizëm masiv partiak, asnjëherë ndonjëra prej tyre nuk është udhëhequr nga ndonjë femër, respektivisht që ndonjëra nga ato të udhëheq subjektin politik nacional. Jo se ato nuk ishin aktive në jetën partiake, pasi e dëshmuan me pjesëmarrje në listat zgjedhore dhe në legjislaturat vendore, për aq sa u është dhënë hapësirë brenda organizimit partiak. Duke marrë para- sysh se pjesëmarrja e femrave në jetën arsimore, kulturë, sport dhe krijimtari është gjithnjë e më e madhe, kjo e vërteton se ato me kapacitetin e vet, njohuritë dhe shkathtësitë e dëshmuara, janë në gjendje të udhëheqin edhe subjektet politike, që sot është dukuri shumë e shpeshtë dhe e suksesshme në qendra të mëdha.
Ndërkohë, nëse marrim para sysh faktin se nga numri i përgjithshëm i elektoratit, femrat përbëjnë jo më pak se 50%, të elektoratit, parashtrohet pyetja se përse ndonjërës nga ato nuk i takoi ndonjëherë të udhëheqin ndonjërin nga subjektet politike shqiptare.
Asnjë femër bartëse e listës zgjedhore (lokale apo parlamentare)
Përvoja na mëson se bartës të veprimeve të tilla, janë kryesisht meshkujt, njëjtë sikur edhe të listave zgjedhore. Ata, duke pas fjalën kryesore në prezantimin e programeve të veta partiake dhe të rezultateve të arritura, në këtë mënyrë pozicionohen në vendet e para në listat zgjedhore dhe kështu në vazhdimësi që nga themelimi i partisë së parë nacionale shqiptare në vitin 1990.
Sigurisht se vullneti i femrave në këtë drejtim nuk mungon, kurse përgjigjen më së miri e dinë ato që me kontributin e vet kanë ndikuar në rezultatin sa më të mirë të subjekteve përkatëse në zgjedhje. Kuptohet se një dukuri e tillë nuk do ndonjë analizë tepër të thelluar, pasi situata faktike është dëshmia më e mirë e gjendjes aktuale edhe asaj nga e kaluara.
Parashtrohet pyetja se sa do të ishte hapësira e dhënë në listat zgjedhore me kandidatë femra sikur të mos ishte detyrim ligjor për përmbushjen e standardeve demokratike në proceset zgjedhore.

Ky shkrim publikohet në kuadër te projektit “Parandalimi i Korrupsionit dhe Promovimi i Pjesëmarrjes Qytetare” i mbështetur nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL). Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk përfaqëson medoemos pikëpamjet apo qëndrimin e donatorit.

Të fundit

më të lexuarat